Pakla, Skuta dhe Fundija – ç`kuptim kanë këto toponime në territorin e Gjilanit?
Izeir Hyda
“Sa njerëz të gjithë vdesin
Po jeta s’mbetet e shkretë
Gjuha e mëmëdheu mbesin
Të patundur për jetë”
(Naim Frashëri)
Sa e sa njerëz i kanë punuar këto ara, gjyshër e stërgjyshër, nipër e stërnipër; sa djersë është derdhur në to, për të marrë fryte sa më të mira që ta ushqejnë familjen.
Sa herë është lavruar e mbjellur kjo tokë në pranverë për t’u korrur ne vejshtë e mbjellur përsëri e përsëri.
Sa bujku i ka punuar këto ara e që nuk jetojnë më… po gjuha e këtyre arave ka mbetur e pandryshuar – ‘e patundur’ siç thoshte Naimi ynë i madh:
“Sa njerëz të gjithë vdesin
Po jeta s’mbetet e shkretë
Gjuha e mëmëdheu mbesin
Të patundur për jetë”
Mbase, ata që i kanë emërtuar këto ara nuk janë më, po arat janë aty, bashkë me emrat e tyre të vjetër sa vet banorët e këtij fshati.
Arat Binjake
Binjake, që përbëhen prej dy pjesëve, dushe, me dy njësi të barabarta: qershi binjake, çukë binjake, ara binjake… edhe në Pogragjë ka ara binjake (binake).
Këto ara shtrihen në anën e majtë të lumit Morava dhe po ashtu në anën e majtë të rrugës që i ndan këto ara me arat e Podit.
Këto ara kanë një pjerrtësi të vogël dhe janë të lehta për t’i punuar. Janë mbjellë me gjithfarë kulturash bujqësore e tani mbillen kryesisht me grurë.
Parcelat e kanë formën e katëkëndëshit. Janë të njëjta me njëra-tjetrën. Emrin e kanë marrë sipas formës që kanë – Arat Binjake.
Pakla
Në vazhdim të Arave Binjake, ngjitas me to, shtrihen arat ‘Pakla’. Ky emërtim është një ndër toponimet më të vjetra të Pogragjës.
Këto ara shtrihen pranë arave të Podit. Podi – podium – vend, ka qenë vendbanimi i më herëshëm i Pogragjës. Sipas tregimeve, këto anë në një kohë i ka kapluar një epidemi shfarosëse. Banorët e pakët që kanë mbetur janë larguar nga aty dhe kanë kaluar në anën tjetër të lumit me bestytninë që sëmundja nuk mund ta kapërcejë lumin.
Kjo epidemi ka lën pak njrëz të gjallë. Epidemia pak la njërëz, pak la = Pakla.
Topnimi Pakla është formuar nga ndajfolja e sasisë ‘pak’ dhe folja ‘la’. Pak + la = Pakla.
Skuta
Skuta. ‘Cep i futur, i memnjanuar, i fshehtë’. Pikërisht, këto ara janë të tilla, të menjanuara të fshehta në cep të arave të tjera. Emrin e kanë marrë ashtu siç janë ‘Skuta’. Kështu i quajmë edhe sot.
Fundija
Fundi. ‘Pjesë e poshtëme e një vendi të thelluar, skaj i tërësisë’
Këto janë arat më të skajshme. Shtrihen në fund të kodrës dhe janë krejtësisht në fund të arave të tjera të Pogragjasve.
Nga që janë krejtësisht në fund e kanë marrë emrin Fundija.
Pogragja ka shumë emërtime të vjetra që janë ruajtur deri më sot. Ndër dhjetra e dhjetra toponime janë edhe këto që i përmendëm në këtë shkrim.

