Papa hoqi këpucët kur hyri në Xhaminë e Sulltan Ahmedit në Stamboll, por nëse u lut apo jo?
Ajo njihet ndryshe edhe si Xhamia e Sulltan Ahmedit.
Leo, i shoqëruar nga udhëheqës vendas myslimanë, kaloi nëpër oborrin e xhamisë dhe, pasi hoqi këpucët, u shëtit brenda saj me çorape të bardha.
Papa i parë amerikan, një tifoz i zjarrtë i ekipit të bejzbollit Chicago White Sox, ka bërë së fundmi shaka se ai gjithmonë mban “çorape të bardha”, shkruan CNN.
Aşgın Tunca, një myezin, tha se Leo ishte ftuar të lutej gjatë vizitës së tij.
Myezini është zyrtari që thërret myslimanët në lutje dhe ishte ndër ata që e shoqëruan Leon gjatë vizitës në Xhaminë Blu.
“Unë i ofrova atij, nëse dëshironte të falej këtu, por ai tha: “jo, thjesht do të shikoj përreth” tregoi Tunca më vonë, duke shpjeguar se “më kishin thënë” që Papa do të “lutej këtu”.
Pati edhe më shumë konfuzion kur zyra e shtypit e Vatikanit dërgoi një deklaratë pas vizitës duke thënë se Leo ishte lutur në xhami dhe se ishte pritur nga kreu i institucionit shtetëror fetar të Turqisë, ndonëse asnjëra nga këto nuk kishte ndodhur.
Vatikani tha më vonë se deklarata, e cila përmendte se Leo kishte kaluar “një moment të shkurtër lutjeje”, ishte dërguar gabimisht dhe ishte marrë nga broshura e përgatitur para udhëtimit.
Leo është papa i tretë që viziton Xhaminë Blu. Vizitat e mëparshme papnore kanë ngritur pyetje nëse papa do të lutej ose jo.
Në vitin 2014, Papa Françesku kaloi dy minuta lutje në heshtje ndërsa ishte në xhami, dhe në vitin 2006, Papa Benedikti XVI vëzhgoi atë që Vatikani e përshkroi si një moment “meditimi të heshtur” dhe të cilin disa e panë si herën e parë që një papë ishte lutur në një vend adhurimi mysliman.

