Paralajmërimi i Valon Sylës: Tre deputetë të LDK-së kanë negociuar me LVV-në
Albin Kurti është përpjekur deri në momentet e fundit që të krijojë shumicën për një mandat të tretë si kryeministër.
Të hënën, një ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, gazetari Valon Syla tha se Kurti dhe Vetëvendosje kanë negociuar me tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në një deklarim në emisionin Pressing në T7, Syla tha se janë tre deputetë të LDK-së, një nga rajoni i Drenicës, një nga Prizreni dhe një tjetër nga Istogu, të cilët kanë “negociuar me njerëzit e LVV-së”.
“NISMA, ka kërkuar kryeparlamentarin dhe ministritë që i ka të negociuara. Një pako ligjesh. Tre individë një nga Drenica, një prej Prizrenit dhe një prej Istogut kanë negociu me njerëzit të VV”, tha Syla.
Informatat janë ende pakonfirmuara.
Syla tha se ende nuk ka marrëveshje në parim ndërmjet Nismës dhe Albin Kurti.
“Marrëveshja nuk ka, ka skica, vullnet, marrëveshje në parim midis NISMA, disa deputetëve të LDK-së dhe Albin Kurtit. Personalisht mendoj që gjasat më të mëdha me kriju koalicion i ka VV, NISMA, gjasat e dyta që mund të shkohet edhe në zgjedhje të reja, por ajo që nuk po shihet në horizont është një koalicion i opozitës”.

