Paralajmërohet ndërprerje të punës në spitale, QKUK e QMF nëse qeveria s’procedon Ligjin për Paga
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka paralajmëruar masa radikale e sindikale, si ndërprerje të punës në të gjitha institucionet publike shëndetësore, nëse nuk procedohet Ligji për Pagat.
Nga kjo Federatë kanë thënë se nëse Ligji i Pagave nuk kalon, duhet të ketë rritje të pagave prej 50 për qind për të gjithë të punësuarit në sistemit shëndetësor.
Sipas kësaj Federate, sot në mbledhjen e mbajtur nga ajo është diskutuar në lidhje me ecurinë e grevave të organizuara ditë më parë si dhe çështjet e ngritura para Qeverisë nga kjo Federatë.
Këshilli Drejtues i FSSHK’së, i bën thirrje edhe njëherë qeverisë që Ligji mbi Pagat të procedohet, miratohet dhe implementohet me buxhetin e vitit 2022.“Këshilli Drejtues i FSSHK unanimisht kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që nëse Ligji i Pagave nuk kalon të ketë rritje të pagave për të gjithë të punësuarit në sistemit shëndetësor në lartësi prej 50% dhe kjo bazuar në faktin se nuk ka pasur rritje pagash që nga viti 2014.
Këshilli Drejtues i FSSHK-së ia kujton gjendjen e rëndë të punëtorëve shëndetësor si pasojë e inflacionit dhe shtrejtimit të jetës,rritje kjo e cila do të ndikonte në zbutjen e kësaj gjendje,kjo rritje do të vlente deri në fillimin e implementimit të Ligjit të Pagave”, thuhet nga kjo Federatë.Nga FSSHK kanë thënë se deri me datën 15 dhjetor do të bisedojë me secilin anëtar të vet dhe njëkohësisht pret reflektim nga Qeveria për të cilën ka formuar një grup negociues, nëse edhe kjo nuk ndodh, FSSHK paralajmëron masa radikale sindikale, siç është ndërprerja e punës në të gjithë institucionet publike shëndetësore.
“Mbesim me shpresë që Qeveria do të reflektojë në të kundërtën për të gjitha pasojat e mundshme përgjegjësinë e bartë vet Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet nga FSSHK.