Paralajmërohet vala e re e COVID-19 në Kosovë

Profesionistët shëndetësor kanë thënë për Ekonomia Online se Kosova mund të përballet me një valë të re të Coronavirusit, për shkak të rritjeve të rasteve në shtetet tjera. E, në këtë situatë, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e sheh si të papranueshme që kjo ministri të udhëhiqet me ushtrues detyre.

Zemaj tha që nga fillimi i përhapjes së Covid-19 nuk ka pasur menaxhim të pandemisë.

Tutje, ai tha për Ekonomia Online se Qeveria nuk e ka vëmendjen te menaxhimi i pandemisë, e sipas tij kjo mund të shkaktoj përkeqësim të situatës.

Sipas tij, rritja e numrit të rasteve në rajon dhe vdekjeve tregon që detyrimisht Kosova do t’i nënshtrohet një vale të re.

Ndërsa infektologu, Ilir Tolaj tha se në qoftë se nuk vazhdon vaksinimi masiv, ekziston rreziku që Kosova të preket nga valë të reja.

E pulmologu Flamur Marku thotë se aktualisht në Klinikën e Pulmologjisë më shumë se gjysma e pacientëve janë të pa vaksinuar.

Megjithatë, doktor Marku tha se varianti Delta Plus përhapet më shpejt dhe në gjendje më të rënduar.

Mes tjerash, Marku tha se në Kosovë mund të ketë edhe valë të tjera të Covidit, e siç thotë ai mund t’i prekë më shumë të rinjtë, pasi ka rënie të interesimit për vaksinim nga moshat e reja.