Ismajli: Pavarësisht rënies së rasteve aktive, virusi ende ka potencial të madh infektues

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t`i respktojnë me përpikëri masat mbrojtëse nga Covid 19, pavarësisht uljes së rasteve pozitive.

Në takimin e Komitetit për menaxhimin e pandemisë, Ismajli tha se rënia e numrit të rasteve aktive, nuk lejon komoditet, pasi virusi ende gjendet në mesin tonë dhe ka potencial të madh infektues.

Në emër të Komitetit, Ismajli u ka bërë apel ndaj qytetarëve dhe bizneseve që japin shërbime, që t`u përmbahen masave kundër përhapjes së virusit, siç janë maska, distanca dhe higjiena personale.

Ndryshe, gjendja e përgjithshme në Gjilan është si vijon: nga 10263 mostra, 3529 kanë rezultuar pozitivë, 3335 janë shëruar, 108 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 86 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 10 persona dhe 232 mostra në pritje për rezultat.