Parlamenti voton për mos shkarkimin e tij, Meta ndan pamjet me familjen

Parlamenti mblidhet sot në orën 10.00 në një seancë të posaçme parlamentare, për të votuar raportin e komisionit hetimor të ngritur për ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës së Presidentit Ilir Meta.

Më konkretisht pritet që ligjvënësit shqiptarë të votojnë për mos shkarkimin e tij, pasi rendi i ditës parashikon raportin përfundimtar të komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.

Gjithçka pasi Presidenti shtyu zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku mazhoranca e hetoi për shkelje të ligjit dhe shpërdorim detyre, por në fund u tërhoq nga shkarkimi.

Teksa pozita e tij shihet e sigurt në krye të shtetit, Ilir Meta e ka kaluar këtë të diel në Sarandë.

Bashkë me familjen, dy vajzat, djalin dhe Monikën, Presidenti e ka kaluar mbrëmjen në lartësinë e kalasë së Lëkurësit.

“Një mbrëmje të këndshme për të gjithë me familjet tuaja ju uroj nga kalaja e Lëkurësit në Sarandë”, shkroi në orët e vona të mbrëmjes së të dielës Presidenti. /noa/