Pas 22 vjetësh rinisin hetimet për vrasjen e 30-vjeçarit nga policia

Prokuroria e Lezhës ka rihapur hetimet për vrasjen e 30-vjeçarit Shkurt Boci, në vitin 1999 në Fan të Mirditës, transmeton Report TV.

I riu u ekzekutua gjatë një operacioni policor, por ngjarja nuk është arritur të zbardhet.

Dosja hetimore prej muajsh është në duart e prokurorit Erjon Shehaj, i cili prej disa javësh është emëruar edhe si drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Lezhës.

Mes personave që ka dëshmuar për këtë ngjarje është edhe Drejtori i Policisë së Lezhës, Zef Laska, pasi në periudhën kur është vrarë i riu mbante postin e komandantit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit.

Në deklarimet e tij në polici, Laska ka thënë se nuk ka qenë në krye të operacionit ditën kur ka ndodhur ngjarja, por në Tiranë.

Prokuroria ka arritur të provojë arritur se Shkurt Boci është vrarë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit, por duke qenë se provat janë të pakta ende nuk është arritur të zbulohet autori i kësaj vrasje.

Familjaret e 30-vjeçarit i kanë denoncuar me emra personat që kanë qëlluar në drejtim të tij, por për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme ende nuk është marrë asnjë person i pandehur në lidhje me këtë ngjarje.

Ekzekutimi i 30-vjeçarit Shkurt Boci erdhi pas një kontrolli policor në zonën e Fanit në Mirditë. Referuar dosjes hetimore, rezulton se Shkurt Boci është konfliktuar dhe përplasur fizikisht me njërin nga efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Laçit dhe më pas ka tentuar të largohet me shpejtësi.

Në atë moment polici ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit Boci, duke e lënë të vdekur në vend.