Pas arrestimit, Zvicra bllokon pasuritë e Maduros

Qeveria e Zvicrës ka bërë të ditur këtë të hënë, 5 janar, se ka marrë vendim për të bllokuar menjëherë të gjitha pasuritë që presidenti i arrestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, apo persona të lidhur me të, mund të kenë në territorin zviceran.

Sipas autoriteteve në Bernë, ky vendim vjen pas arrestimit të Maduros në Karakas gjatë një operacioni të papritur ushtarak amerikan, pas të cilit ai u transferua në Nju Jork për t’u përballur me akuza që lidhen me trafikimin e drogës.

Duke e cilësuar situatën aktuale si “të paqëndrueshme”, qeveria zvicerane deklaroi se masa synon të parandalojë transferimin jashtë vendit të çdo pasurie që mund të jetë përfituar në mënyrë të paligjshme. Për këtë arsye, si veprim paraprak, është vendosur ngrirja e pasurive të Maduros dhe individëve të tjerë të lidhur me të.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet i vlefshëm për një periudhë katërvjeçare, deri në një njoftim të dytë. Autoritetet zvicerane sqaruan se, nëse procedurat ligjore në vijim vërtetojnë se fondet janë siguruar në mënyrë të paligjshme, Zvicra do të angazhohet që ato t’i kthehen popullit të Venezuelës.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se ngrirja e pasurive nuk prek asnjë anëtar të qeverisë aktuale venezueliane. Masa bazohet në Ligjin Federal për Ngrirjen dhe Kthimin e Pasurive të Paligjshme të Mbajtura nga Persona të Huaj të Ekspozuar Politikisht dhe përforcon sanksionet ekzistuese ndaj Venezuelës, të vendosura që nga viti 2018, të cilat përfshijnë gjithashtu masa të ngjashme financiare.

Sipas Bernës, ngrirjet e reja synojnë persona që deri më tani nuk kishin qenë objekt sanksionesh në Zvicër. Qeveria zvicerane bëri të ditur se po ndjek nga afër zhvillimet në Venezuelë dhe u bëri thirrje palëve për ulje tensionesh, vetëpërmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ndalimin e përdorimit të forcës dhe respektimin e integritetit territorial.