“Pas çdo gjurme në EKG fshihet një zemër që shpreson të vazhdojë të rrahë” – kardiologu Arlind Ferati mban kurs 5-ditor me mjekët e Gjilanit

Pas çdo gjurme në EKG fshihet një zemër që shpreson të vazhdojë të rrahë.

Për ta njohur e kuptuar sa më mirë zemrën, mjekët e përgjithshëm dhe ata familjarë, që janë kontakti i parë me pacientin, duhet të dinë t’i lexojnë disa shenja.

Për këtë qëllim, Dr. Arlind Ferati, Specialist i Kardiologjisë, PhD (c), ka mbajtur një kurs pesëditor me mjekët e QKMF-së në Gjilan, ku ka ligjëruar për këtë problematikë.

“Së bashku me rreth 70 mjekë familjarë dhe mjekë të përgjithshëm, punuam për interpretimin e EKG-së, njohjen e ndryshimeve iskemike dhe përdorimin praktik të defibrilatorit”- thotë dr Ferati.

Ai nënvizon faktin se një kurs i tillë mbahet për herë të parë në Gjilan dhe Kosovë dhe se interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Faleminderit kolegëve për energjinë, pyetjet dhe përkushtimin, si dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare Gjilan, për organizimin, sponsorit AbdiIbrahim!”- shprehet tutje mjeku Ferati, i bindur se njohuritë e marra në këtë trajnim do t’u shërbejnë në punën e përditshme, si adresë e parë dhe orientuese për pacientët.

“Shpresoj që njohuritë e fituara gjatë këtij kursi të na shërbejnë në momentet kur një vendim i shpejtë mund të bëjë ndryshimin”- thotë Dr. Arlind Ferati, Specialist i Kardiologjisë.

Vijuesit u trajuan në mënyrë teorike dhe praktike në:

Interpretimi i EKG-së

Ndryshimet elektrokardiografike në sëmundjet iskemike

Përdorimi praktik i defibrilatorit

Menaxhimi fillestar i situatave urgjente kardiake.

Kursi u zhvillua në grupe, me qëllim që të përfshihen të gjithë mjekët e QKMF-Gjilan dhe të forcohen njohuritë dhe shkathtësitë praktike në diagnostikimin dhe trajtimin fillestar të pacientëve me probleme kardiake.

Interesim për trajnime të tilla kanë shprehur edhe QKMF të tjera, përveç Gjilanit dhe mjeku Ferati, një specialist i shkëlqyeshëm i Kardiologjisë, është i gatshëm ta bëjë këtë. /Mediafokus