Pas PDK-së e Aleancës, edhe LDK e injoron ftesën e Albulena Haxhiut për të marrë pjesë në takim
PDk e Aleanca, tashmë janë deklaruar kundër ftesës së Albulena Haxhiut për një takim me subjektet politike, në përpjekje për të arritur një marrëveshje sa i përket zgjedhjes së Presidentit.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe LDK, e cila e injoroi ftesën e Albulena Haxhiut
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu.
LDK-ja ka vendosur ta injorojë ftesën e Haxhiut për takim nesër, i tha Gazetës Express një zyrtar i kësaj partie.
“Nuk e kemi refuzuar, por e kemi injoruar ftesën”, tha ky burim.
Haxhiu të premtën i ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim të përbashkët për të martën në Presidencë.
Takimi, sipas ftesës që Haxhiu ua dërgoi partive politike, është thirrur “në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.

