Pas Serbisë, edhe në Mal të Zi shqiptarët bëhen bashkë në zgjedhje nacionale
Falë një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet subjekteve politike, e cila u nxit nga ministri Gent Cakaj, shqiptarët në Serbi arritën t`i sigurojnë tri ulëse në parlament, ndërkaq në komunën e Bujanocit, koalicionin qeverisës ia dolën ta bëjnë vetëm shqiptarët për herë të parë.
Këtë formulë do ta ndjekin në zgjedhjet nacionale edhe shqiptarët në Mal të Zi.
Alternativa Shqiptare, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit dhe Lëvizja Qytetare Perspektive, kanë rënë dakord që në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit në Mal të Zi të garojnë në një listë të përbashkët.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i partisë Forca e Re Demokratike, Nazif Cungu, përmes një njoftimi për opinion.
Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nënshkruhet edhe marrëveshja, duke shtuar se ky bashkim i partive shqiptare do të japë rezultat të mirë.
Ky është postimi i tij i plotë:
Njoftojmë opinionin e gjerë se subjektet politike shqiptare: Alternativa Shqiptare e kryesuar nga Nik Gjeloshaj, Forca e re demokratika e kryesuar nga Nazif Cungu, Lidhja Demokratike Shqiptare e kryesuar nga Nikollë Camaj, Unioni i Tuzit i kryesuar nga Fadil Kajoshaj dhe Levizja qytetare Perspektiva, e kryesuar nga Amir Hollaj, duke kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, kërkesën e qytetarëve, pritjen dhe ftesën e diasporës për bashkim, kanë rënë dakord që, në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, të dalin në një listë të përbashkët.
Të bindur se një list është zgjedhja më e mirë, dhe me kërkesë të vëllezërve tonë nga diaspora, dhe insistimin e asamblistit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj, që t’i japim mundësinë formimit të një liste të përbashkët, për të gjitha subjektet shqiptare, nënshkrimin e marrëveshjes, të paraparë për nesër në mesditë, kemi vendosur ta shtyjmë deri në momentin kur shpresat për një veprim të tillë të jenë shuar.
Ne, si subjekte të dëshmuara në bashkveprim, edhe në këtë mënyrë dëshrojmë të dëshmojmë qendrimin dhe kërkesën tonë për formimin e një liste të përbashkët shqiptare, për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit.
Mbetemi me shpresë se pritja jonë do të jap rezultat!
Nik Gjeloshaj, Nazif Cungu, Nikolle Camaj, Fadil Kajoshaj, Amir Hollaj.

