Pazarllëku me Remdesivir në Prishtinë

Burim Gashi, 41 vjeç, të dielën është shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë, pas përkeqësimit të gjendjes me koronavirus. Mjekët menjëherë i kanë thënë se duhet të marrë ilaçin Remdesivir.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ende nuk ka arritur ta sigurojë këtë ilaç, i cili përdoret për të trajtuar sëmundjen COVID-19, kurse në treg, ai mund të blihet me një çmim nga 150 deri në 200 euro.

Bashkëshortja e Gashit, Jehona Zhitia, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka qenë e detyruar të bëjë ‘pazar’ për të siguruar këtë ilaç.

“Me rekomandim të mjekëve është thënë se (për Burimin) duhet menjëherë të merret ilaçi tashmë shumë i përfolur Remdesivir. Sigurimi i këtij ilaçi është i vështirë këtyre ditëve në Kosovë. Ai në treg është me çmime të ndryshme. Ky ilaç po shitet e po blihet në forma të ndryshme, veç farmacive, në disa pika të caktuar edhe disa individë e kanë sjellë vetë tek oborri i klinikës”, tha ajo.

“Më është dashur vetë të bëj pazar për ilaçin. Çmimi i këtij ilaçi sillet nga 50 euro deri në 220 euro (varësisht prej prodhuesit)”, tha Zhitia.

Zhitia po ashtu shton se në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka mungesë edhe të barnave esenciale.