PDK dorëzon kallëzim penal ndaj Bordit të ZRrE’së për shkak të tarifave

Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë sot kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shkak të aplikimit të tarifave të shtrenjta edhe pas vendimit të Gjykatës për pezullim.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, kallëzimi penal ndaj tyre do të dorëzohet për mos zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit për këto tarifa.

Kallëzimi penal do të dorëzohet në orën 11:00.

“Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, do të dorëzojnë nesër (e premte), në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për mos zbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 077/22 të ZRRE-së për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.