PDK-ja pezullon pjesëmarrjen në Kuvend për një javë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të marrë pjesë për një javë në seancat e zhvillimet tjera të Kuvendit, ka bërë me dije deputeti Abelard Tahiri.

“Që nga pesë nëntori i këtij viti, Kosova dhe shoqëria jonë janë duke kaluar në një rrethanë aspak të zakonshme, mos të themi të jashtëzakonshme. Që nga e hëna janë paraqitur sit ë akuzuar drejtuesit kryesorë të luftës sonë, ndër ta presidenti i Kosovës i zgjedhur nga ky kuvend, kreu i PDK-së, Kadri Veseli ish kryetar i Kuvendit për dy mandate, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe sot paraqitet shefi i grupit më të madh parlamentar, Rexhep Selimi”, ka thënë ai.

Tahiri thotë se PDK-ja do të shtyjë prezencën e saj për një javë në seanca.

“Ne si PDK kemi nevojë për reflektim. Do të shtyjmë prezencën tonë për një javë në seanca, PDK nuk do të marrë pjesë në seanca, ky akt nuk lidhet me zhvillimet që lidhen me drejtësinë, por me nevojën për sensibilizim. Ne na duhet reflektim dhe unitet”, ka thënë Tahiri duke shtuar se besojnë në luftën e pastër të UÇK-së.