Pensionistja nga Gjilani i drejtohet kryeministrit: I keni harruar pensionistët kontributpagues?

Pensionistët kontributpagues në Kosovë po ndihen të diskriminuar nga shteti i tyre, pasi që nuk ka treguar kujdesin e duhur për këtë kategori, që ka merita të pa kontestueshme në rrugëtimin e gjatë deri te liria e vendit, i mbushur përplot sfida e sakrifica.

Për të shprehur këtë pakënaqësi, me një fjalor të matur e respektues, kryeministrit në detyrë i është drejtuar përmes një postimi publik, veterania e arsimit në pension, Makfire Uzunaliq.

‘Vendimi për ndihma në paga të gjitha kategorive që janë të rrezikuar nga pandemia, një e keqe kjo që po na lëndon dhe po vret njerëzimin, është i qëlluar.

Por shtrohet pyetja: Ku janë këtu kategoria e pensionistëve kontributpagues?

Sidomos kategoria e pensionistëve të viteve të `90-ta që nuk janë përfshirë as në ligjin e vitit 1999 për arsim.

Vallë, a nuk duhet edhe ne të kemi kushte për preventivë dhe mbrojtje nga kjo e keqe dhe të jemi pjesë e këtyre ndihmave?

Si mundet që me këto pensione diskriminuese, kjo skemë ekzistuese i ka ndarë pensionistët në tri kategori, pa status, të trajtuar si kategori sociale.

Si mundemi ne të moshuarit, pensionistët familjarë me 90 euro, pa burime tjera financiare, te sigurojmë ushqim të shëndetshëm dhe shërim adekuat.

Nga këto mjete, duhet t`i paguajmë së pari obligimet qytetare. E, çka mbetet për ushqim e për ilaçe?

Ky anashkalim nga institucionet shtetërore qe 21 vit, nuk ka koment!

Prandaj është momenti i fundit që institucionet më të larta vendimmarrëse, kësaj kategorie t`i kushtojnë prioritet për t`iu garantuar një trajtim meritor për atë që kanë bërë me dekada në punën e tyre’, përfundon Makfire Uzunaliq.

Makfire Osmani njihet si kontributore e madhe në proceset historike nëpër të cilat ka kaluar vendi, e cila sot është kthyer në një zë të arsyeshëm për problemet reale, me të cilat po përballet shoqëria kosovare, sidomos kategoria e pensionistëve.