Pensionohet Zyrafete Elezi Dalipi, edukatorja e parë në Livoç të Gjilanit

Është pensionuar Zyrafete Elezi Dalipi, edukatorja e parë e shkollës fillore në Livoç të Poshtëm të Gjilanit.

Pas gati dyzet vitesh punë misionareje në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve parafillor, pikërisht nga shkurti i vitit 1984, kur u hap paralelja e parë dhe e vetme parafillore në këtë shkollë, edukatorja Zyrafete R. Elezi, sot kremtoi datëlindjen e 65 dhe pensionimin.

Edukatorja Zyrafete Elezi punën e saj e filloi në kushte shumë të rënda fizike, për shkak të mungesës së lokalit për zhvillimin e aktiviteteve të fëmijëve, ndonëse me një numër relativisht të madh fëmijësh, sepse ishte e vetmja.

Ndryshe, edukatorja Zyrafete kishte një karakter të fortë, vullnet të çeliktë dhe ishte e pakompromis në punën me fëmijë dhe sensibilizimin e familjeve të cilat në fillim ngurronin t’i dërgonin fëmijët në paralelen parafillore.

Edukatorja Zyrafete Elezi-Dalipi ishte shoqe e mirë, kolege e shkëlqyeshme, bashkëpunuese, e kuptueshme për situata të ndryshme dhe shumë punëtore kreative me ato mjete mësimore të pakta që posedonte shkolla, u shpreh drejtori i SHFMU ”Dëshmorët e Kombit”, Ejup Bllaca.

Në fund, edhe kolegët tjerë që ishin të pranishëm në këtë ceremoni, shprehën fjalë miradie për edukatoren, madje edhe duke i tradhëtuar ndonjë pikë loti, që prej tash nuk do ta kenë edukatoren çdo ditë në shkollën e tyre, duke i uruar asaj shëndet, lumturi e jetë të rehatshme pranë familjes. /N.RAMADANI