Për 4 muaj 13 persona kryen vetëvrasje në Kosovë

Nga muaji janar deri në fillim të muajit prill të këtij viti, 13 persona janë vetëvrarë, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, derisa 43 persona tentuan ta bëjnë të njëjtën gjë. Policia bënë të ditur se mbi 30 raste janë duke u hetuar nën dyshimin e kësaj vepre.

Shifrat shqetësuese janë edhe ato të vitit të kaluar, për një vit në Kosovë vranë veten 37 persona.

Këto të dhëna për Insajderin, janë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

“Bazuar në të dhënat e SIPK, në vijim keni numrin e rasteve të raportuara “Vetëvrasje” për periudhën kohore 2021, të ndara në vetëvrasje dhe vetëvrasje në tentativë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Vetëm në 10 ditët e fundit, mbi 5 persona kanë kryer vetëvrasje. Rasti i fundit është ai në Komunën e Gjilanit, në fshatin Bresalc.

Sipas psikologut, Ylli Avdijaj në rritjen e rasteve të vetëvrasjeve në Kosovë ka ndikuar edhe pandemia Covid-19.

“Si në mbarë botën edhe në vendin tonë kjo pandemi ka sjellur probleme të shumta në shoqërinë tonë. Fillimisht mbyllja dhe izolimi, vendosja e masave parandaluese, mbyllja e bizneseve dhe humbja e punës, krizat financiare, frika nga infektimi dhe vdekja, të gjitha këto në njëfarë forme kanë sjellur edhe ç’rregullime në balancin e përditshëm jetësor tek qytetaret tanë tash e 1 vit”, ka thënë Avdijaj.

Avdijaj, thekson se të gjithë këta faktorë shumë herë kanë qenë ndikuesit dhe kontribuues në shpërfaqjen e konflikteve të brendshme që kanë pasur njerëzit apo individët të cilët i ka çuar deri në vetëvrasje.

Përveç, pandemisë psikologu përmend edhe disa faktorë të tjerë që dërgojnë persona të caktuar drejt vetëvrasjes.

“Faktorët të cilët qojnë në këto dukuri, mund të themi se janë të shumtë, e që zakonisht janë: problemet psikike, problemet emocionale, konfliktet sociale, problemet ekonomike dhe financiare, borxhet, presionet politike etj”, ka thënë ai.

Pastaj si shkaktar të tjerë, psikologu Avdijaj përmend edhe abuzimi me alkool dhe substance narkotike, gjë që e bënë të pamatur dhe të pakontrollueshme gjendjen e mendimeve dhe aspektit emocional.

“Si faktor tjetër mund të themi se është edhe ndonjë historik familjarë me çrregullime mendore, vetëvrasjeve, përfshirë edhe abuzimin seksual dhe fizik”, potencon ai.

Por, çfarë duhet të bëjnë institucionet e sigurisë në mënyrë që të parandalohen këto vdekje?

“Institucionet e sigurisë duhet të jenë më vigjilent, më të përgatitur dhe më serioz në rastet që u kërkohet ndihmë kur bëhet fjalë për dhunë në familje, rastet e kërcënimeve dhe shantazheve që u bëhen individëve të caktuar, ngacmimet, abuzimet seksuale dhe fizike etj”, ka thënë psikologu.

Tutje, ai thekson nevojë e ndihmës edhe nga shoqëria tek individë të caktuar, të cilët mund të kenë probleme shëndetësore ose edhe financiare.

Theksojmë se në prill të 2020-ës, Ministria e Shëndetësisë kishte vënë në dispozicion linjën e ndihmës psikologjike, në kohë pandemie. Por edhe kjo sipas psikologut nuk është e mjaftueshme, ai vlerëson se institucionet përgjegjëse duhet të stimulojnë edhe punonjësit e shëndetit mendor.

“Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mirëqenies Sociale duhet të aktivizohen edhe më shumë në këtë drejtim, që t’i stimulojnë punonjësit e shëndetit mendor, psikiatrat, psikologet dhe psikoterapistët nga institucionet përkatëse shtetërore”, vlerëson ai.

Ndryshe, rajonet më të prekura nga vetëvrasjet janë kryesisht ato që kanë nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë./