Për herë të parë në Kosovë fillon vaksinimi HPV i vajzave, kundër kancerit të qafës së mitrës

Të martën në Prishtinë për herë të parë ka nisur vaksinimi HPV i vajzave, vaksinë kjo që jepet kundër kancerit të qafës së mitrës.

Nisjen e vaksinimit HPV në Prishtinë e kanë bërë të ditur nga komuna e Prishtinës.

“Një hap tepër i rëndësishëm për shëndetin e të çmueshmeve, vajzave tona, ka nisur sot në Kryeqytet. Nxënëset e moshës 11 vjeçare, të shkollës Model ‘Qamil Batalli’ në Prishtinë, u vaksinuan me vaksinën Human Papilloma Virus (HPV).

Vaksina HPV ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave, duke ofruar një mbrojtje efektive kundër kancerit të qafës së mitrës; një sëmundje që po shfaq një rritje shqetësuese në numrin e rasteve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu theksoi “fillimi i vaksinimit në moshën 11 vjeçare për vajzat, është zgjedhur për shkak të efektivitetit të saj të lartë në këtë fazë, duke mbrojtur deri në 99% të grave nga ky rrezik në të ardhmen. Ky lajm pozitiv për vaksinimin është i rëndësishëm për të gjitha vajzat, duke ofruar mbrojtje të duhur për t’i parandaluar këto sëmundje”.

Lidhur me nisjen e vaksinimit HPV që nisi të martën në Prishtinë ka shkruar edhe drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

Ai në një postim në Facebook shkruan se vaksina HPV parandalon kancerin e qafës së mitrës, që konsiderohet kanceri i dytë më i shpeshtë tek gjinia femërore.

Ndryshe, në njoftim thuhet se vaksinimi me vaksinën HPV do të bëhet në të gjitha shkollat e Kryeqytetit Prishtina.