Krejt vendimet që i mori sot Qeveria Kurti II

Sot është mbajtur mbledhja e 14-të e Qeverisë së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, në të cilën janë miratuar vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.

Pika e parë që mori miratimin e qeverisë ishte vendimi me të cilin ajo në pajtim me Përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nr.08-P-16 të datës 17.05.2021, jep mendim lidhur me nismën Legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete. Me këtë nismë legjislative të këtij vendimi është përcaktuar që Projektligji duhet analizuar hollësisht në mënyrë që të adresohen rekomandimet e dhëna, të harmonizohet me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës dhe të ndryshohet një nen, në mënyrë që të hiqet detyrimi për homologim për mjetet rrugore të reja që kanë certifikatë të konformitetit.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për themelimin e Grupit Punues ndërinstitucional për rishikimin e Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës 2021-2030.

Më tej, Qeveria ka marrë vendim për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të cilat hyjnë në fuqi nga data 31 maj.

Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

[Hyrjet dhe daljet e qytetarëve të huaj nga Republika e Kosovës]

Qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet­ të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

Përjashtime nga pika 2 bëjnë:

3.1. Nëse qytetari i huaj hyn në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 orëve përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orëve;

3.2. Qytetari i huaj që punon si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga Covid-19;

3.3. Qytetari i huaj që kalon nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orëve;