Për shtesa tani mund të aplikojnë edhe fëmijët deri në 8 vjet

Ministria e Financave të Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se nga sot hapet aplikimi për përfitime të shtesa edhe për fëmijët e lindur nga 1 janari 2014.

Nga kjo ministri kanë bërë me dije se nga muaji gusht do të shtohet edhe gjenerata e lindur nga 1 janari 2013, derisa në muajin shtator do të shtohet edhe gjenerata e vitit 2012.

“Duke filluar nga ky muaj skema për Shtesat për Fëmijë do të zgjerohet gradualisht, duke shtuar nga një gjeneratë për çdo muaj. Pra, në muajin gusht do të shtohet gjenerata e fëmijëve të lindur në vitin 2013, në muajin shtator gjenerata e fëmijëve të lindur në vitin 2012, e kështu me radhë”, shton njoftimi.

Derisa kanë treguar edhe kushtet për aplikim dhe datën kur kryhen pagesat.

“Rikujtojmë qytetarët se aplikimi i rregullt për Shtesa për Fëmijë bëhet nga nëna dhe se llogaria bankare do të jetë në emër të aplikueses, kurse aplikimi nga babai apo kujdestari ligjor i fëmijës bëhet vetëm në raste specifike. Gjithashtu, vlen të theksohet se aplikimi për shtesa për fëmijë tashmë do të jetë vazhdimisht i hapur në platformën eKosova, kurse pagesa do të bëhet me datë 25, apo ditën vijuese të punës, të çdo muaji”, përfundon komunikata.

Në vijim mund të gjeni vegezën për aplikim: https://ekosova.rks-gov.net/Services/SubService?service=312