Për ujëra të thella, anija e madhe!
Nga: Avdyl Aliu
Qeverisja komunale e formuar me shumë vonesë po del se më mirë paska qenë të ishte vonuar edhe më, bile shpresa do të ekzistonte se do të formohet një qeveri e zonja.
Kemi kujtesë të mirë institucionale nga fushata zgjedhore kur thuhej se e kemi ‘skanuar mirë gjendjen, nevojat dhe problemet e komunës, prandaj me të ardhur ne në qeverisje, do t’a avancojmë komunën në të gjitha kuptimet’.
Si duket, disa drejtorë ia kanë përzgjedhë kryetarit pa dashjen e tij, shto këtu edhe faktin se edhe disa që i ka zgjedhë vet nuk ia ka qëlluar, nga se u pa kjo që në seancën e parë.
Qeverisja e re ka trashëguar një dinamikë të fortë dhe një nivel të lartë të realizimit të projekteve zhvillimore, kështu që ka hyrë në terren me zhvillime qindra milionëshe të projekteve.
Me një fjalë, ka hyrë në ujëra të thella dhe me rrjedhë të furishme. Por, me një anije te vogël.
Kjo përbërje e qeverisë komunale duket qartë se nuk do të mund të socializohet me këtë ritëm, me këtë dinamikë dhe me këtë nivel të realizimit të projekteve.
Prandaj, duke u gjendur në këtë terren të ‘ashpër’ zhvillimor, ka filluar të bëjë më të lehtën që mundet: të kukatë dhe vajtojë sepse paskan gjetur disa borxhe të krijuara për blerje të tokës për realizimin e projektit të Parkut të Ri të Qytetit dhe për ndërtimin e Impiantit të përpunimit të ujërave të zeza për realizimin e të cilave veç janë të programuara mbi 20 milionë euro.
Si mund të ndërtohet Parku dhe Impianti në fjalë pa e pasur lokacionin 7-8 hektarësh, për të cilin edhe figuron ky obligim?
Mos të harrojmë se Parku dhe Impianti janë të planifikuara në këtë lokacion me Planin Zhvillimor Urban “Gjilani 2015+”, i miratuar në Kuvend Komunal në vitin 2008 kur LDK-ja ka qenë në opozitë.
Prandaj, kryetari dhe qeverisja e tij i kanë para vetes vetëm se dy alternativa dhe nuk ka të tretë:
1. Me i grahë punëve dhe me u kapë në dinamikën, ritmin dhe nivelin e gjetur, ose
2. Me i grahë me e luajt kukuvajkën.
Me keqardhje, në të dytën nuk mundemi me iu ndihmu, ndërsa sa i përket të parës ju themi se nuk është marre me kërku ndihmë.
Prej pozitës së opozitës kemi vullnetin me iu ndihmu në çdo situatë dhe në çdo moment, sepse këtë ia kemi borxh qytetarëve të komunës së Gjilanit për besimin e dhënë në këto zgjedhje, të cilët na nxorrën fitues në Kuvend Komunal me rezultatin më të mirë që nga viti 2003 e këndej, me një diferencë të konsiderueshme nga subjekti i dyte edhe më shumë nga subjekti i tretë.
Grupi i Këshilltarëve të LDK-së, anëtarët e LDK-së në Komitete profesionale, Këshilli i Ekspertëve të LDK-së dhe kryetari Lutfi Haziri paraqesin kapacitetet e LDK-së në realizimin e lidhjes së qeverisë aktuale komunale me dinamikën, ritmin dhe nivelin e projekteve zhvillimore të komunës.
Pa keqkuptime, nga opozita!
Pa keqkuptime, për komunën!
(Autori është shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit)

