Përfundon afati kushtetues, Kosova drejt zgjedhjeve të reja
Me shënimin e orës 00:00 ka përfunduar zyrtarisht afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke e futur vendin në një situatë të re politike që pritet ta çojë drejt zgjedhjeve të reja.
Mirëpo, me përfundimin e seancës së jashtëzakonshme për ndryshimin e amendamentit lidhur me zgjedhjen e presidentit nga populli dhe jo nga Kuvendi, deputetët e LDK-së dhe PDK-së lëshuan sallën.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në sallë, duke pamundësuar vazhdimin e procesit.
“Deputetët e opozitës nuk janë të pranishëm, andaj nuk kemi kuorum… i ftova disa herë të kthehen, por kjo nuk ndodhi”, deklaroi Haxhiu.
Pas mbylljes së seancës, Haxhiu njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit. Ajo bëri të ditur se është kërkuar edhe vendosja e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me këtë procedurë, deri në publikimin e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ndërkohë, Gazeta Infokus ka raportuar se gjatë ditës së nesërme presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, pritet të shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe të shpallë datën e zgjedhjeve të reja.
Sipas burimeve të Gazetës Infokus, data e mundshme e zgjedhjeve pritet të jetë 19 prilli.

