Selman Vokshi, Homeri shqiptar që dinte përmendësh 14 mijë vargje

Selman Vokshi ka qenë i njohur në Gjilan si “Homeri shqiptar”. Meqë e kishte humbur tërësisht shikimin dhe nuk mund të shkruante më, ai gjithë krijimtarinë e tij e mësoi përmendësh.

Ishte në gjendje të recitonte mijëra e mijëra vargje të tijat, pa as më të voglin problem.

Prezantohej përmes vargjeve dhe me krenari thoshte se kishte lindur në Shqipëri, por ishte rritur në Gollak, në shtëpinë e Lotë Vakut, si fëmija i fundit i tij, i gjashti me radhë.

Pesë të tjerët, kishin lindur në Kosovë. Babi i tij, Lotë Vaku ka qenë kaçak për rreth 20 vite. Ai ka qenë bashkëluftëtar i Azem Bejtës, Shote Galicës, Bajram Currit, Xhelë Gurit dhe të tjerëve.

Kaçakët kanë qenë njerëzit të cilët kanë rezistuar me vite kundër pushtuesit serb. Ata, zakonisht i ka strehuar dhe mbajtur populli.

Babai i tij, Lotë Vaku ka qenë komandant i çetës së 12-të të kaçakëve për rajonin e Gollakut, Kumanovës dhe Karadakut, për 10 vite, prej mbarimit të Luftës së Parë Botërore e deri më 1928.

Në vitin 1929 Serbia u kishte dhënë afat kaçakëve 3 muaj që të dorëzoheshin ose ta braktisin Kosovën. Lotë Vaku e kishte zgjedhur këtë të dytën dhe ishte zhvendosur në Shqipëri.

Tre fëmijë i kishte lënë në vendlindje, tek axhallarët dhe nuk i kishte parë për 12 vite. Në Shqipëri, pas 9 vitesh, i lindi fëmija i gjashtë, të cilin e pagëzoi Selman.

Në vitin 1941, ku Gjermania erdhi këtu, Lotë Vaku u kthye në vendlindje, pas tri ditësh e tri netësh rrugë. Përsëri vazhdoi jetën në mal, deri në vitin 1947.

Ka qenë ndër kaçakët e fundit që është dorëzuar, në vitin 1947. U dënua 12 vjet burgim.

Selmani kujtonte përmes vargjeve historinë e babait të tij, i cili së bashku me disa kushërinj të tij, kishin vrarë vojvodën serb, Kojicë Papoviqi, për shkak të zullumit që po bënte ndaj familjeve shqiptare të kësaj ane.

Këtij rasti, Selman Vokshi ia ka kushtuar një poemë prej 50 vargjeve.

Për më shumë se 25 vite, Selman Vokshi jetoi e krijoi në verbëri të plotë, brenda një bote që nuk e shihte prej një çerek shekulli, por e ndjente dhe e kuptonte më mirë se disa që kanë nga dy sy në ballë.

Selman Vokshi ishte njeri i veçantë në jetë e në krijimtari, për faktin se hulumtoi, mblodhi dhe publikoi thesarin popullor. Vokshi ishte shembull i njeriut këmbëngulës e stoik, me vullnet të jashtëzakonshëm.

Ai nuk i këndoi vetëm dhembjes, por edhe jetës dhe sakrificës së popullit. Si autor, mbajti në mend mijëra vargje dhe krijoi një vepër me përmbajtje të ditarit jetësor, andaj me të drejtë është quajtur “Homeri shqiptar”.

Ai ishte kundërshtar i madh i përdorimit të barbarizmave. Sugjeronte zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë shqipe, duke thënë se gjuha jonë është shumë e bukur dhe e pasur sa nuk ka nevojë të huazojë nga të tjerët.

Selman Vokshi për shumë vite kishte punuar si mësimdhënës i muzikës. Fati e deshi që në moshën 47-vjeçe t`i humbas sytë dhe iu desh të pensionohet para kohe. Megjithatë, ai vazhdoi ta shoh botën me syrin e mendjes.

Brenda viteve 1997 – 2004 shkroi 44 poema, me gjithsej 14.000 vargje, të cilat i dinte përmendësh. Këto vargje u botuan në dy poema “Poezinë e doja shumë” dhe “Pa atdhe nuk ka fe”.

Poema “Rrëfim për Lotë Vakun” u inskenua nga Teatri i Gjilanit, kurse në dorëshkrim la veprën “Një jetë në vargje” e cila u botua pas vdekjes së autorit.

Ai shkroi në stilin popullor, me një artikulim të fortë artistik, që gjason me këngët kreshnike shqiptare. Selmani ishte bir i një atdhetari të njohur në Anamoravë, Lotë Vakut, i cili, për arsye politike të kohës, ishte larguar në Shqipëri, në vitet 1927.

Më 1941 kthehet në Vakaj të Kikës, afër Poliçkës. Më 1948, Selmani regjistrohet në klasë të parë. Mandej, në vitin 1954 regjistrohet në shkollë të mesme të muzikës në Prizren.

Pas shkollës, më 1958 fillon punën si mësimdhënës në Hogosht, në shkollën “Skënderbeu”. Më 1959 punoi si arsimtar i parë shqiptar i muzikës në shkollat e Anamoravës.

Për 15 vjet rresht punoi në korin e shkollës Normale në Gjilan. Ka punuar si dirigjent edhe në Suboticë, Kralevë, Beograd dhe Cerkevnicë afër Rijekës, Kroaci. Për disa vite punoi në Radio-Gjilan, si redaktor i muzikës, derisa u verbua dhe u desh të pensionohet.

Në vitet e këtejme, shok të pandashëm të rrugëtimit e kishte bashkëshorten Ajshen, e cila e ndihmoi shumë në jetë dhe në punën krijuese, prandaj Vokshi e përmend atë edhe në vargje./mediafokus.info