Përkeqësohet situata me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut ka regjistruar të mërkurën 317 raste të reja me COVID-19 nga testimi i 1,990 mostrave.
Ky numër njëherësh paraqet shifrën më të lartë të të infektuarve brenda 24 orëve që nga fillimi i pandemisë në këtë shtet, por edhe numrin më të lartë personave të testuar.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Shkup, gjithsej 182 raste, në Shtip (13), Koçani (18), Gostivar (11), Kumanovë (12) ndërsa numër më i vogël në 10 qytete tjera.
Janë regjistruar edhe katër viktima; dy në Gostivar të moshës 71 dhe 76 vjeç dhe nga një në Shkup dhe Strugë të moshës 59 dhe 65 vjeç, transmeton rel.
Numri i përgjithshëm i viktimave nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 772, derisa më shumë së gjysma e tyre janë nga Shkupi.
Sipas raportit të publikuar deri më tani në Maqedoninë e Veriut me koronavirus janë diagnostikuar 19,413 persona dhe prej tyre 15,749 janë shëruar dhe 2,892 janë ende raste aktive.