Përleshje fizike për shkak të pronës mes tre personave në Malishevë

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Gazeta Sinjali.

Në një përleshje fizike janë përfshirë së fundi edhe tre persona në fshatin Berishë të Malishevës, me ç’rast njëri nga ta ka përfunduar në spital.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë kanë bërë me dije se 40-vjeçari është paraqitur atje për ndihmë mjekësore, ndërkohë që rasti është denoncuar edhe në Polici.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratën e 40-vjeçarit i cili ka thënë se është sulmuar fizikisht nga dy persona tjerë.

Si rezultat i denoncimit, të dyshuarit janë intervistuar në stacion policor, ku kanë bërë me dije se motivi për të cilin ka ndodhur rrahja lidhet me një konflikt pronësor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që tre të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.