Përmbyllet në Gjilan manifestimi ‘Flaka e Janarit 2022’
Sonte në Gjilan është përmbyllur edicioni i 31-të me radhë i manifestimit mbarëkombëtar ‘Flaka e Janarit 2022’, i cili mbahet në nderim të sakrificës së dëshmorëve.
Në hapje të ‘Fest Flakës’, që ishte pjesa e fundit e programit të manifestimit, këngëtari Korab Shaqiri ka kënduar këngën ‘Këngë e pambaruar’, e kompozuar nga Naim Gjoshi, me tekst të Ilir Shaqirit e Engjëll Gjokajt, orkestruar nga Valton Beqiri.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në rolin e nikoqirit, ka thënë se përmes këtij manifestimi unik, kulturor e artistik nderohen përjetësisht dëshmorët e të rënët për lirinë të cilën e gëzojmë ne sot.
‘Flaka e Janarit’ përkujton heroizmin e vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës, të cilët flijuan gjithçka për kombin, kurse rikthen edhe pjesën tjetër, atë artistike e kulturore, e cila edhe sot e kësaj dite frymëzon gjeneratat që vijnë pas tyre’, ka thë Hyseni.
Në pjesën artistike janë paraqitur: ‘Për mu paska qenë kismet’ – Genta e Greta Azizi, ‘Seç po frynë një fllad pranvere’ – Merita Sahiti, ‘Ja na erdhi tash pranvera’ – Mefail Ibrahimi, ‘Po më rreh zemra si valë deti’ – Herolinda Bucaliu, ‘Ç’na qudite me bukuri’ – Rina Kurteshi, ‘Të kam dasht dhe të dua’ – Leotrimi.
Drejtor artistik i këtij edicioni ishte Mehmetali Arifi, derisa formacioni orkestral i Trupës Artistike Muzikore, që u shqua për interpretim, u drejtua nga Mentor Latifi.
Më pas interpretuan edhe këta këngëtarë: Hatixhe Nushi – ‘Kosovarja e bukur’, Majlinda Bajrami – ‘Vallë si qenka bërë dynjaja’, Visar Peja – ‘Të deshta me hakikat’, Ylberina Abdyli me potpuri nga jugu, ‘Karajfili i kuq si gjaku’ – Egzona Salaj, ‘Këngë për Çerçiz Topullin’ – Enkelejda Arifi, ‘Ndale djallin moj Evropë’, ‘Pa bashkim nuk ka fuqi’ – Kastriot Tusha, Hekuran Bllaca dhe Burim Demiri.
Në këtë manifestim janë përkujtuar të gjitha ata që kanë dhënë kontribut për „Flakën e Janarit“ e që nuk janë më mes nesh dhe pranë emrave tyre janë vendosur lule.
Më plaket u nderua Florent Boshnjaku, kompozitor edhe atë për afirmimin e vlerave autoktone muzikore, të cilën ia ndau kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.
Me këtë akivitet, Hyseni ka shpallur të mbyllur për sivjet manifestimin ‘Flaka e Janarit 2022’.

