Përparim Rama akuzon Qeverinë se e përjashtoi nga fjala në një forum për Lojërat Mesdhetare
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka kërkuar që ai të përjashtohet nga fjala në një forum kushtuar përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.
Rama ka thënë se, ndonëse Prishtina është qyteti nikoqir i “Lojërave Mesdhetare 2030”, atij nuk i është dhënë mundësia të flasë në forumin “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, të organizuar nga European Investors Council (EIC).
“Prishtina është qyteti nikoqir i ‘Lojërave Mesdhetare 2030’. Megjithatë, në forumin ‘Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage’, të organizuar pikërisht për rrugën drejt vitit 2030, nga European Investors Council (EIC), unë si Kryetar i Prishtinës përjashtohem nga fjala, sipas organizatorëve, me kërkesë direkte të Ministrisë së Sportit”, ka shkruar Rama.
Ai e ka cilësuar këtë si shembull të, siç është shprehur, “përjashtimit si model qeverisës” të Albin Kurtit.
Sipas Ramës, rasti nuk mund të konsiderohet thjesht një çështje protokollare.
“Kjo nuk është gafë protokollare. Është vendim politik dhe është presion ndaj organizatorëve”, ka deklaruar ai.
Kreu i Prishtinës e ka quajtur ironike situatën, duke theksuar se vetë forumi synon koordinimin, partneritetin dhe investimet për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
“Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit, ku edhe një projekt i përmasave ndërkombëtare tentohet të filtrohet përmes interesit partiak dhe kontrollit politik”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, organizimi i një forumi për “Prishtina 2030”, ndërkohë që kryetari i kryeqytetit lihet jashtë listës së folësve, është “institucionalisht absurd dhe politikisht simptomatik”.
Në fund, Rama ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Albin Kurti mund ta kontrollojë listën e folësve, por Prishtina 2030, fatmirësisht, është shumë më e madhe se lista e tij, komplekset e tij dhe deficitet e tij personale”, ka përfunduar Rama.

