Përplasen dy makina, 4 të plagosur, njëri në gjendje të rëndë
Aksidentet janë bërë të përditshme në rrugët tona. Edhe kjo javë nisi me një rast të rëndë, ku katër persona mbetën të plagosur pas përplasjes së dy makinave.
Në aksin Shkodër-Hani i Hotit, pranë rrethrrotullimit të Koplikut, u përplasën dy makina. Si pasojë, katër persona kanë mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Nga pamjet duket se makinat janë deformuar së tepërmi. Në vendngjarje shihet edhe prania e forcave zjarrfikëse, që kanë ndihmuar në nxjerrjen e të plagosurve nga mjetet, raporton A2CNN.
Vetëm të dielën u regjistruan 3 aksidente të rënda. Një 33-vjeçar ndërroi jetë pasi humbi kontrollin e mjetit në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Një tjetër viktimë, u shënua pas një aksidenti në aksin Qafë Thanë-Librazhd, ku drejtuesi i një furgoni ndërroi jetë pas përplasjes me një minibus. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe katër persona. Pasdite, autostrada Tiranë-Durrës u bllokua pas një aksidenti ku ishin përfshirë 7 automjete. Fatmirësisht, nuk pati viktima dhe të plagosur, por për disa orë rruga u bllokua plotësisht.

