Personat me sindromën down duhet të gëzojnë të drejta të plota dhe të barabarta me gjithë të tjerët
Mr. sc. Besnik Sherifi
(21 Marsi – Dita Botërore e Sindromes Down)
Në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 21 Mars si Ditën Botërore të Sindromës Down.
Kjo Asamble vendosi që nga viti 2012, të organizojë Ditën Botërore të Sindromës Down, në 21 mars të çdo viti fton të gjitha Shtetet Anëtare, organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe shoqërinë civile, duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare dhe sektorin privat, për të organizuar Ditën Botërore të Sindromës Down me qëllim për të rritur sa më shumë ndërgjegjësimin publik.
Sindroma down është një çrregullim kromozomesh i shoqëruar me vonesë në zhvillimin fizik, intelektual dhe gjuhësor.
Trizomia 21 apo Mongoloizmi quhet një mutacion gjenetik i veçantë te njeriu i cili posedon kromozomin e 21.
Njerëzit me Sindromën down kanë 47 kromozome në secilën qelizë në vend që të kenë 46.
Personat me sindromën down duhet të gëzojnë të drejta të plota dhe të barabarta me gjithë të tjerët, kjo nënkupton mundësinë për pjesëmarrje të plotë në komunitet.
Qëllimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi, informimi dhe promovimi për personat që janë të prekur nga sindroma down.
Ajo çfarë është e rëndësishme për institucionet dhe shoqërinë është mbështetja, angazhimi dhe stimulimi i personave me sindromën down, ofrimi i mundësive për të jetuar në mënyrë të pavarur, në mënyrë të dinjitetshme, për të qenë aktivë e pjesëmarrës në komunitet dhe shoqërinë ku jetojnë.
Fëmijët me sindromën down dihet se përformojë më mirë në një mjedis mësimor stimulues, një ambient të përshtatshëm, gjithëpërfshirje me bashkëmoshatarët e tyre për të cilën qëllimi është integrimi, socializimi si dhe mbështetja, angazhimi në aktivitete të jetës së përditshme si dhe duke mësuar për diversitet, dashamirësi, solidaritet dhe mbështetje sociale.
Puna, angazhimi, trajtimi dhe ofrimi i shërbimeve në mënyrë profesionale, psiko-sociale ndikon dukshëm në sferat e zhvillimit të tyre, duke ngrit vetëbesimin, motivimin e tyre si dhe ndjenjën e përkatësisë.
Kujdesi dhe mbështetja ndaj tyre do të ndikojë pozitivisht edhe në mënyrë direkte në gjendjen psikologjike tek prindërit e tyre, duke lehtësuar angazhimin, kujdesin dhe pavarësimin e tyre.
Andaj e rëndësishme është që të gjithë të punojmë për këta persona që të jenë pjesë e punës dhe aktiviteteve të jetës së përditshme, të respektohen të drejtat e tyre, si brenda familjes, po ashtu edhe në shoqëri, të mësojnë për aftësitë e tyre të veçanta në mënyrë që të integrohen në shoqëri.
(Autori është Psikolog klinik)