Përvjetor i hidhur

Në ditën e festës më të rëndësishme të Shqipërisë, sot më 28 nëntor, shpërfaqet ndjenja më e frustruar tek të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen ata. Të qash apo të festosh?!

Sa shumë kanë sot edhe ditëlindjet e tyre që gjithmonë sikur ndjeheshin me fat të kenë lindur më 28 nëntor. Kur i uronim, ata edhe qeshnim: «edhe shteti po feston për ty»!

Të gjithë duan t’ia marrin këngës sot! «Vaji i burrit, është kënga» thoshin dikur, por jo, jo sot. Sot, çdonjërin prej nesh e tradhtojnë lotët. Është ditë që në përvjetorin e saj, që tani e tutje, nuk do të ketë vetëm këngë krenarie! Kësaj date do t’i shtohet një elegji që do ta shoqërojë përjetësisht.

Kur dhembja është më e fortë se guri sot në Shqipëri, kur në Gjilanin tim një kortezh mortor i bie qytetit përmes dhe thuajse retë i japin ngjyrë edhe më të zezë, nuk ka si të mos ndjehesh e pikëlluar, me ndjenja të frustruara e me sy kah pranverat që do të vijnë…

Të gjithë shënojeni këtë ditë, ashtu siç e ndjeni. Është datë dashurie mbi të gjitha. Vetëm dashuria mund të ngadhënjejë mbi dhembjen. /Mirishahe Limani Hiler/