Pjesëtari i FSK-së përfundon kursin e mbrojtjes së afërt në Britani me vlerësim të shkëlqyeshëm

Valdrin Rrecaj, pjesëtar i Mbrojtjes së Afërt të Policisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka përfunduar me sukses Kursin e Mbrojtjes së Afërt në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas njoftimit të FSK-së, kursi zgjati nëntë javë dhe ishte intensiv, me kërkesa të larta fizike e profesionale.

Nga 30 pjesëmarrës që nisën trajnimin, vetëm 14 arritën ta përfundonin me sukses.

Gjatë programit, pjesëmarrësit u angazhuan në skenarë të ndryshëm operacionalë, përfshirë ushtrime të evakuimit me helikopter.

Rrecaj e përfundoi kursin me rezultate të larta dhe me vlerësim të shkëlqyeshëm nga instruktorët.

Trajnimi u realizua në bashkëpunim me Ushtrinë Britanike dhe Policinë Ushtarake Mbretërore, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Policisë Ushtarake të FSK-së dhe institucioneve ushtarake britanike.

Sipas FSK-së, përvoja dhe njohuritë e fituara do të kontribuojnë në ngritjen e mëtejme të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake, në përputhje me standardet dhe praktikat e partnerëve ndërkombëtarë.