Pjesëtari i FSK-së zë vendin e parë në garën ndërkombëtare “Ushtari më i mirë” në Kroaci

Në Poligonin Ushtarak “Eugen Kvaternik” në Slunj të Kroacisë, u mbajt Gara ndërkombëtare e “Ushtarit më të mirë” për vitin 2021.

Gara e “Ushtarit me të mirë” u realizua në periudhën kohore 13-19 qershor 2021, ku pjesë e saj ishin edhe dy pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe ushtarak nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Franca, Sllovenia, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Britania e Madhe.

Me përkushtimin, angazhimin dhe performancën e lartë të treguar gjatë kësaj gare, tetar Sokol Ahmeti nga Regjimenti i Pare i Këmbësorisë i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, në mesin e shumë garuesve ka arritur të dalë i pari, duke u shpallur “Ushtari më i Mirë Ndërkombëtar për vitin 2021”.

Garën me sukses ka arritur që ta përfundojë edhe garuesja tjetër FSK-së, ushtar Endrita Brahimi.

Pjesëmarrësit kaluan së bashku në disa vështirësi, ku pjesë e saj ishte edhe rruga me gjatësi prej 30 kilometra, duke ekzekutuar 12 disiplina ushtarake.