Bëhuni gati për martesa, sot pritet heqja e orës policore dhe zgjatja e orarit të gastronomisë

Sot pritet të merret vendimi për heqjen e orës policore në Kosovë, e cila është në fuqi në intervalin 22:30-05:00 si dhe të lejohet puna e gastronomisë.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

“Ishte një takim konstruktiv ndërmjet kryetarëve të komunave dhe ministrit Vitia. Kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës për heqjen e orës policore, por edhe kërkesat tjera që kanë impakt në zhvillimin ekonomik lokal, janë aprovuar nga ministri Vitia. Por, lehtësimi i këtyre masave do të ndodhë në mbledhjen e radhës së Qeverisë, ku Vitia do t’i paraqesë kërkesat e komunave”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ai tha se është rekomanduar që gastronomia të punojë deri në orën 00:00.

“Është rekomanduar që gastronomia të punojë deri në orën 00:00, nëse situata me COVID-19 është situate stabile, atëherë pritet që nga mesi i qershorit të ketë edhe lehtësira tjera për hotelerinë”, ka deklaruar Ibrahimi.