Dy pilote shqiptare bashkohen në ‘Defender 2021’, njëra prej tyre është kosovare (VIDEO)

Valdete Mehanja dhe Armela Murati janë pjesë e stërvitjes “Defender 2021”, qëllimi i së cilës është ndërveprimi mes aleatëve të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka postuar një video në median sociale Facebook, ku tregon për dislokimin e helikopterëve amerikanë në bazën ajrore të Farkës.

Gjithashtu pjesë e videos është edhe historia e dy piloteve shqiptare, Valdete Mehanja dhe Armela Murati.

Nëntogere Valdete Mehanja ka lindur në Kosovë, por prej disa vitesh ka pilotuar helikopterin me Regjimentin e Aviacionit 1-131, në Gardën Kombëtare e Alabamës, SHBA. Prezenca e saj në Shqipëri është bërë e mundur si pjesë e trupave amerikane, të cilat po marrin pjesë në stërvitjen “Defender 21”, transmeton AP, përcjell Albinfo.ch.

Në bazën ajrore të Farkës, Mehanja ka takuar të vetmen vajzë të kursit të pilotit për helikopterët ushtarakë, nëntogere Armela Muratin.

Kjo e fundit ka rrëfyer se ka një vit që u është bashkuar Forcave të Armatosura Shqiptare. Arsyeja e përzgjedhjes, thotë ajo, është rastësore, sepse përkoi me emërimin në Forcën Ajrore.

Të dyja pilotet, si rrjedhojë e stërvitjes së përbashkët, kanë ndarë mes tyre sekretet e profesionit.

Në video, pilotja me origjinë nga Kosova, e cila më herët ka qenë pilote civile, shprehet se ishte hera e parë që vinte në Shqipëri dhe për të ishte befasi që po e bënte si ushtare amerikane.

Ajo tregon edhe arsyen pse i është bashkuar ushtrisë amerikane.

“I jam bashkuar ushtrisë amerikane, sepse kjo ushtri, veçanërisht Amerika, e ka ndihmuar shumë popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Dhe e ndiej veten si në borxh”.

Ndërsa nëntogere Armela Murati rrëfen se gjatë komunikimit me kolegen e saj amerikane ka marrë mbështetje dhe kurajë në një mjedis ku mbizotërojnë kryesisht burrat.