Plas sherri për villat në Batllavë, edhe një drejtor i Inspekcionit shkarkohet në Podujevë

Kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shkarkuar edhe drejtorin e radhës të Inspekcionit, njëherit i treti që nga marrja e mandatit.

Bëhet fjalë për Besnik Mulliqin. Ky i fundit para pak çastesh përmes një postimi në Facebook konfirmoi shkarkimin.

Mes tjerash, ai falënderoi ata që e mbështetën, teksa pranoi se rrënoi objekte në Orllan.

“Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje!,Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm!Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz.Të gjithë juve qytetarë të Podujeves dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme!”, shkroi ai.

Megjithatë, Nacionale nuk u mjaftua me kaq dhe telefonoi direkt Mulliqin.

Mulliqi tha se nuk është në dijeni të asaj se kush janë pronarët e villave, porse e di që janë ilegale.

“Shkarkimin e kam pranuar pas rrënimeve të bëra. Por ky nuk është problemi i vetëm. Ka edhe çështje të tjera për të cilat nuk jam pajtuar. Kemi pasur edhe probleme të tjera. Nuk e di të kujt janë shtëpitë, por e di që janë ilegale, të papajisura me leje”, tha fillimisht Mulliqi.