Plumbi qorr përfundon në oborrin e një qytetari në Gjilan ku ishin dhjetë persona në atë moment
Një plumb qorr ka përfunduar në oborrin e një qytetari në Gjilan, ku së paku 10 persona ndodheshin në atë moment jashtë.
Ai që e ka shkrepur armën në ajër është dashur ta mendojë se plumbat nuk përfundojnë në qiell, por në tokë, aty ku jetojnë njerëz dhe ndokujt prej tyre edhe mund t’i rrezikojë jetën.
Të shtënat në ajër, brenda zonave të banimit, në mënyrë indirekte është e shtënë në një njeri të pafajshëm, i cili në atë moment mund të jetë në kulminacionin e lumturisë duke festuar me familjen e tij.
Qytetari nga Gjilani Ardit Latifi ka postuar një plumb qorr, i cili mbrëmë kishte përfunduar në oborrin e shtëpisë së tij.
‘Për krejt ata që kanë qejf me gjuajt me ARMË, ky plumb që shkon në hapësirë, ky edhe duhet me ra në Tokë. Shikoni se me çfarë shpejtësie bie në tokë dhe si është dëmtuar maja e plumbit. Paramendo po t’i bie ndonjë njeriu. Ky plumb u gjet në oborrin e shtëpisë time ku ishim më së paku 10 persona në oborr’, ka shkruar Latifi.


