“Po të ishe gjallë, sot do t’i cakërronim gotat për këtë ditë të madhe…”

Më 16 shkurt 1972, para 50 vitesh, dora e UDB-së e vrau poetin Alush Canaj, që me magjinë e artit të tij hyri herët në zemrat e lexuesve të të gjitha moshave.

Sot, më 24 gusht, është 71-vjetori i lindjes së poetit martir, Alush Canaj (1952-1972).

‘Po të ishte gjallë, po mos ta vriste dora e fshehtë e UDB-së me bashkëpunëtorët e vet të devotshëm, sot do t’i cakërronim gotat për këtë ditë të madhe të tij e tonën, për shëndet e vepra të reja letrare.

Edhe atje ku është, te Fushë e Luleve Qiellore, unë i them: Gëzuar, vëlla! Ai na dëgjon, edhe na sheh. Unë e di’ – ka shkruar vëllai i tij, poeti Avdush Canaj.

Me këtë rast, po ri-sjellim shkrimin e protalit Mediafokus.info për poetin e panënshtruar përballë pushtetit, Alush Canaj.

Para shumë vitesh, në një tubim poetik për Alush Canajn, pata dëgjuar shkrimtarin Beqir Musliu të thoshte se poetin e vrau pushteti për shkak të zërit të tij të fuqishëm kundër padrejtësive që po i bëheshin popullit të tij dhe për shkak të dashurisë që ai ndjente dhe shprehte për Shqipërinë, për shkak se po bëhej një zë i fuqishëm kundër robërisë dhe një zë që kërkonte liri për popullin dhe tokën e tij.

Poltronët e pushtetit të kohës kishin trumbetuar se poeti ishte vetëvrarë për një dashuri të dështuar, siç dinin të inskenonin ata, duke dashur ta komprometojë jo vetëm autorin, po edhe krijimtarinë e tij.

Por gabuan, sepse poetët nuk vriten, aq më pak një poet si Alushi, i cili edhe tani, gati gjysmë shekulli më vonë, frymon aq fuqishëm përmes poezive të tij, që falë vëllait Avdushit, që ishte një vazhdimësi e këtij zëri, u botuan të përmbledhura në librin “Mbrëmë putha lirinë”.

Alushin e vranë për shkak të krenarisë së tij dhe guximit intelektual për t`i thënë gjerat ashtu siç ishin dhe jo ashtu siç dëshironin të tjerët.

Ai nuk pranonte të ishte me “të tjerët” për asnjë çmim, nuk bënte pazare dhe as kompromise me krenarinë e tij si njeri dhe as me krijimtarinë e tij si poet.

Alushi e kishte guximin që Beogradin ta quante “qytet i zi”, ashtu siç ishte në të vërtetë Beogradi për shqiptarët në çdo kohë.

Mesazhet e tij poetike kanë frymëzuar jo vetëm brezin e tij, por edhe pasardhësit, për ta parë Beogradin ashtu siç ishte në të vërtetë, i zi futë, nën ambalazhin e bardhë.

Poetika e Alush Canajt, një djalosh shumë i ri për nga mosha, është e bazuar në elementë kombëtarë, që autori është i mëshiruar aq fort, pavarësisht se sistemi i kohës i urrente dhe përbuzte gjithandej.

Ky realitet do ta bënte Alushin edhe më të zëshëm, përballë një tragjike personale, që ai edhe pse e ndjente, nuk tërhiqej.

Në veprën “Mbrëmë putha lirinë”, Alush Canaj na shpërfaq gjithë ndjeshmërinë e tij ndaj një realiteti të hidhur për shqiptarët, në një shtet që ata i donte të varfër, të paditur e të pashkolluar, i donte robër e shërbëtorë të përjetshëm.

Alushi filloi ta demaskoj këtë realitet dhe kjo e revoltoi “qytetin e zi”, i cili përmes njerëzve të tij, ia përgatiti vdekjen poetit në mënyrën më të pabesë.

E vranë në vitin 1972 dhe e heshtën për njëzet vjet vargun e Alushit.

E heshtën, por nuk arritën ta mbysin poezinë e tij.

Iku i panënshtruar në gjakimin e tij për lirinë, përballë atyre që e torturuan dhe e helmuan në fund, sepse i tillë ishte Alush Canaj.

Alushi iku i pathyer për një dashuri të madhe, hyjnore, për dashurinë ndaj popullit dhe kombit të tij.

Në shenjë të kësaj dite po sjellim disa lirika të tij që janë margitarë të çmuar në letërsinë tonë dhe e bëjnë të pavdekshëm./Mediafokus.info

ËNDRRA NË KRAHËT E ERËS

Fusha mbylli sytë
edhe qielli
me këngë t`kaltra.
Vrik erdhi gjumi
më çoi te lumi
era në breg
më mori mbi flatra.

Fluturoja fushës,
fluturoja malit
sikur me raketë!
Pyllit me lulëkuqe
vizatova një mollëkuqe
n`pallat të zambakut
në katin e tretë.

Peshqit në det
më mësuan not
te i Dashurisë Kep.
As vetë nuk e di
si rashë në thellësi.
Ku më puthi nëna,
unë sa një plep!
(1969)

DIMËN

Dimën. Jashtë resh borë,
pranë votrës gjysh Dili.
Lisi ku thurri çerdhen bibili
ngadalë bëhet me kurorë.

Dimën. Jashtë fëmij`t gëzojnë,
gazi i tyre si zogu mbi re,
ti pse rri n`dritare e s`shkon atje?
Ah, çizmet, gjysh, ujin më lëshojnë.

Bora s`di të ndalet, s`ndalet as loja!
Një fëmijë vrapon nëpër erë,
shokun e vet e thërret tek ajo derë,
n`dorë ka një palë k`pucë me toja.
(1968)

KALI I VIZATUAR

E vizatova kalin
me jelën e gjatë,
dhe e lashë në tavolinë.

Kur dola t`i ujis lulet
kali ia kishte dhënë vrapit
dëgjova një hingëllimë.

Motra më tha:
Vrapoi pas ëndrrave tona,
do të na i sjellë në gjumë.

Atë natë unë e motra
si fluturat ëndërruam shumë.
( 1970)

ÇKA I DUHET LULES

Lules i duhet uji,
pa ujë s`mund të rritet.
I duhet dhe dielli
n`luhare të kolovitet.

Ndonjë flutur e kopshtit
krahët me pranverë,
t`ia puth faqet pikaloshe
kur t`i shkoj në derë.

Nuk bën pa puhizën
që shetit nëpër fushë,
e freskon me shami t`vet,
e gicilit në gushë.

Një dorë e vogël piktori
i duhet lules laureshë,
ta pikturojë nga dritarja
sa herë të buzëqesh.
( 1971)

HARABELI

Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregoj kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as s`shkoj në shtegtim,
rri në vendin tim.
Në tokën e lavdisë,
në zemër të Ilirisë.
(1970)

TE TIRANA

Te Tirana
Nana,
edhe motër Zana.
Atë dimër na ndanë
e lisat i vranë.
Më s`mund të duroj,
Andej do të fluturoj,
aty, ku e kam Nanën,
edhe motrën time, Zanën,
Mëmëdheun,
Skëndërbun.
Nëse ujku më vjen pas
do ta vras.
(1970)

FLAMURI MBI KULLË

Më ndjekin ujqit
për flamurin mbi kullë.

Copa-copa do t`më bajnë
si drenushën e pafajshme,
nëse më kapin në maje të lisit.

Ulurojnë,
lisin duan ta rrëxojnë
po rrënjët e tij thellë në Iliri.

Si lumi kur del nga shtrati
zemërimi rritet e rritet
plasin nga inati
Flamuri mbi kullë valvitet.

Kallnor 1972