Poeti i madh që në vendlindje kthehej si njeri i vogël quhej Beqir Musliu
Beqir Musliu nuk ishte vetëm i Gjilanit, ku prej vitesh është themeluar dhe ndahet një çmim letrar me emrin e tij. Shoqëria kosovare është dashur të bënte më shumë për një kolos të letërsisë moderne, një poet universal, që i tejkalon suazat lokale e kombëtare.
Ai e kultivoi njësoj suksesshëm poezinë, prozën, dramën, kritikën letrare dhe publicistikën, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Beqiri është cilësuar nga kritika dhe miqtë e tij si njeri i dimensioneve të mëdha. Ai ishte institucion kulturor dhe letrar në Kosovë, por shumë i thjeshtë me njerëzit e tij, me vendlindjen, të cilëve gjithmonë iu përulej.
Miku i tij, Hasan Bunjaku thotë se Beqa, ndonëse tridhjetë vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Prishtinë, ishte një gjilanas i përbetuar.
Një varg manifestimesh, që janë mbajtur në Gjilan, nga vitet e nëntëdhjeta e këndej, mbajnë vulën “Beqir Musliu” dhe të tilla janë “Flaka e Janarit”, revista letrare “Agmia” dhe të tjera.
Beqiri ishte i tillë, që nuk donte të merrte asgjë nga Gjilani, pos që t`i jepte atij gjithë atë që ishte e mundur.
Por, Beqa nuk ishte vetëm i Gjilanit, sado që ishte i lidhur për vendlindjen e tij, prandaj të gjithë duhet të pyesin veten “sa kemi bërë për shkrimtarin, poetin, prozatorin, dramaturgun e publicistin e rrallë, të veçantë e, mbi të gjitha, të madh të letërsisë shqipe.
Beqiri është pasuri e kombit dhe me emra të mëdhenj si Beqir Musliu duhet të merren edhe institucionet qendrore të kulturës.
Duhet të mësohemi të krijojmë traditë në nderim të krijuesve. Gjilani po e bën këtë, por nuk është e mjaftueshme që vetëm vendlindja të kujdeset për kolosët e letërsisë.
Vendlindjes i përket lindja dhe vdekja e një personazhi, por krijimtaria e tij është universale dhe e të gjithëve. /Mediafokus.info
……………..
(Ndalohet kopjimi apo përdorimi i këtij shkrimi apo pjesëve të tij, nga mediat tjera.)

