Të premten nis Flaka e Janarit 2020

Të premten nis Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, edicioni i 29-të, i organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që u kushtohet të gjithë dëshmorëve të rënë në luftën për liri.

Fillimisht do të bëhen homazhe në nderim të dëshmorit, Xhevat Qerimi (11:00), ndërkohë që në ora 12:00 mbahet akademi përkujtimore në sallën e teatrit, për të vazhduar me përcjelljen dhe rivarrimin e dëshmorit në varrezat e dëshmorëve.

11 janari nis me homazhe tek varrezat e dëshmorëve dhe lapidarët (11:00), në ora 11:30 kreu i Gjilanit viziton kazermën e FSK’së, për të kulmuar në mbrëmje me ndezjen e Flakadanit të Flaka e Janarit 2020, kësaj radhe tek varrezat e dëshmorëve, transmeton Mediafokus.info.

Më 17 janar mbahet Akademia e Flakës (16:00), derisa në ora 17:30, në galerinë e qytetit, hapet ekspozita kolektive e arteve pamore –  Peneli i Flakës.

“Flaka…” vazhdon me Akademinë e Rugovës më 21 janar, në shënim të 14-vjetorit të shkuarjes në amshim.

Nga 22 deri më 26 janar mbahet Festivali i Dramës Shqipe – Talia e Flakës, i cili sivjet, nga paralajmërimet e organizatorëve, pritet të jetë i jashtëzakonshëm.

Më 28 janar mbahet Festivali i këngës për fëmijë – Xixat e Flakës, në ora 17:00, në sallën e teatrit të qytetit, transmeton Mediafokus.info.

Ndërkohë, në ditën e fundit tradicionalisht mbahen dy aktivitete. Në ora 16:00 flasin shkrimtarët, në kuadër të orës së madhe letrare – Pena e  Flakës, për të kulmuar me festivalin e këngës popullore – Fest Flaka, në ora 17:00 dhe, si zakonisht, performimi do të jetë ‘live’ nga garuesit.

Sponsor medial edhe kësaj radhe është Radio Televizioni i Kosovës./MediaFokus/