Poetja nuk i beson vizionit të ri të partisë, Izmaku largohet nga PDK-ja

Xhevahire Izmaku ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vet ajo përmes një postimi në “Facebook”.

“Unë po jap dorëheqjen dhe po largohem nga PDK, duke nisur nga: pozita e anëtares se Këshillit Drejtues; Nënkryetares së degës së PDK-së në Vushtrri dhe përfundimisht nga të qenurit anëtare e PDK-së”, thuhet në shkrimin e saj.

Izmaku thotë se nuk beson në projektin dhe vizionin e PDK-së.

Në postimin saj, mes tjerash, ajo thotë:

Sot më duhet ta shkruaj statusin ma të padëshiruar në jetën time politike prej 20 vitesh!

Unë po jap dorëheqjen dhe po largohem nga PDK!

Siç e dini shumica prej jush, unë jam rritur dhe edukuar duke respektuar e çmuar vlerat njerëzore.

Përgjatë rrugëtimit tim 20 vjeçar me PDK-në, kam mësuar se të qenit në një parti të madhe, përveç privilegj është edhe sfidë, si në kuptimin konceptual, poashtu dhe përmbajtësorë.

Në kuptimin konceptual, PDK-ja për mua ishte shtëpi e formimit politik, në të cilën u brumosa me tiparet politike të njerëzve që, sakrificën e tyre për lirinë e vendit e transformuan në sfidë për ndërtimin e shtetit.

Gjithë ky rrugëtimi i imi, Kosovës, Vushtrrisë dhe votuesëve të mi, i ka sjellë shumë dobi e projekte në të mirë të përgjithshme.

Shpesh herë gjatë këtij rrugëtimi të gjatë politik edhe jeta ime dhe e familjes time është vënë në rrezik, por asnjëherë dhe askush nuk ka arritur ta zbeh qëllimin tim madhor, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe votuesëve të mi.

Jam krenare me secilin veprim timin politik dhe këtë krenari do ta mbaj deri në frymën time të fundit.

Me keqardhje më duhet t’ju njoftoj se SOT jap dorëheqje nga të gjitha strukturat dhe funksionet e PDK-së. Vendimi për t’u larguar nga shtëpia të cilën edhe vet e kam ndërtuar, nuk ishte aspak i lehtë, por rrugët tona ndahen këtu sepse unë më tutje nuk besoj në projektin dhe vizionin e PDK-së dhe kontributi im i mëtutjeshëm aty, nuk do të ishte i sinqertë, shkruan Xhevahire Izmaku.