‘Poezia është grua’ – Shyhrete Kurti-Musa

Është përuruar libri “Poezi është grua”, e autores kosovare Shyhrete Kurti-Musa, e cila aktualisht jeton në Zvicër.

Libri ka 78 poezi në shqip dhe frëngjisht, të përkthyera nga Erih Ahmetaj.

“Ndonjëherë e kemi të vështirë të themi me saktësi se çka në të vërtetë e bën të bukur e të fuqishëm një tekst lirik, mes figuracionit, thellësisë meditative, koloritetit, harmonisë kompozicionale, muzikalitetit apo edhe ndonjë veçorie tjetër letrare. Leximi i librave poetikë, si ky që ka në dorë lexuesi, pos që të dhurojnë emocione të veçanta, edhe më shumë të përforcojnë bindjen e hershme se poezia nuk është rastësisht edhe e magjishme, edhe mbretërore.

Ndonëse është libri i saj i parë, autorja befason këndshëm, posaçërisht me estetikën ligjërimore, peizazhin, por edhe me frymën e saj. Raporti lirik për të ndërtuar shtëpinë prej shpirti, që në dukje të parë ka fatin gati si të letrave të shkruara e të padërguara, na shfaqet më triumfal, sepse poezia është edhe aromë gruaje që ndez, edhe një diell tjetër…”, ka thënë Bujar Salihu, poet.

“Poezia është grua” nga Shuki Kurti Musa është botuar nga Revista letrare me redaktore Ornela Musabelliu dhe botues Dritan Kiçi./albinfo.ch/