Policia arreston ortopedin e QKUK’së, Sabit Sllamniku

Ortopedi i QKUK’së, Sabit Sllamniku, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, derisa ishte në detyrë.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, i cili ka thënë se pa paralajmërim, policia ka shkuar në klinikë dhe e ka arrestuar ortopedin.

“Policia ka ardh në mengjesë rreth orës 09:00 dhe e ka marrë doktorin. Kanë shkuar në zyrën e tij dhe e kanë marrë ashtu me mantil. Neve nuk na kanë tregu asgjë, nuk kemi ditë asgjë se pse e kanë marrë”, ka thënë ai.

Arrestimin e tij e kanë konfirmuar edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju konfirmon se, sot, rreth orës 9:00, në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është arrestuar një mjek specialist- ortoped”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për telegrafin.