Policia del me raport për aksidentin tragjik ku humbën jetën dy mërgimtarë

Në lidhje me aksidentin në fshatin Sibovc të Podujevës, ku vdiqën dy mërgimtarë dhe mbetën të lënduar dy fëmijët e tyre, policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh ka bërë me dije se shoferi i autobusit me të cilin u aksidentua vetura e mërgimtarit, është arrestuar.

“Fsh. Sibovc, Podujevë 29.07.2022 – 04:40. Është raportuar për një aksident trafiku mes një veture me targa të huaja dhe një autobusi me targa vendore, në magjistralen Podujevë-Prishtinë. Si pasojë e këtij aksidenti, lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar drejtuesi dhe pasagjeri i veturës, viktimat një mashkull dhe një femër kosovarë, vdekjen e të cilëve e ka konstatuar ekipi mjekësor. Poashtu lëndime trupore kanë pësuar edhe dy pasagjerë tjerë, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha njësitë relevante policore, ndërsa trupat e pajetë me urdhër të prokurorit janë dërguar në IML për obduksion, poashtu drejtuesi i autobusit i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.