Policia dhe operatorët për mirëmbajtjen e rrugëve mobilizohen përballë dimrit

Stina e dimrit i shton rreziqet për aksidente trafiku, prandaj policia gjithmonë kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të mos dalin në rrugë pa nevojë dhe pa pajisjet e nevojshme për lëvizje në kushtet me borë dhe ngrica.

Zëdhënësi i PK-së në Gjilan, Ismet Hashani, ka thënë se në funksion të shmangies së aksidenteve të mundshme gjatë stinës së dimrit, sot udhëheqësit e trafikut rajonal, togerët Agim Kqiku e Ilaz Kastrati kanë mbajtur një takim mobilizues me operatorët ekonomikë për mirëmbajtjen e rrugëve lokale dhe rajonale.

Njësitet policore të trafikut rajonal do të jenë të angazhuar komfor ligjit në fuqi mbi trafikun rrugor dhe planit operativ “Sezoni dimëror 15 nëntor 2019 -15 mars 2020”, duke shtuar patrullimet në të gjitha segmentet e rrugëve rajonale e lokale.

Policia e Kosovës është shprehur e gatshme që të vejë në funksion të gjitha kapacitetet e veta, me qëllim të parandalimit të aksidenteve, për aq sa është e mundur.

Po ashtu  përfaqësuesit e të gjitha kompanive që veprojnë si operatorë për mirëmbajtje dhe pastrim të rrugëve gjatë sezonit dimëror kanë thënë se janë në gjendje të reagojnë menjëherë në pastrimin e rrugëve nga bora dhe akulli, duke kujdestar njëzet e katër orë.

Policia e Kosovës në vazhdimësi apelon te vozitësit për respektim të normave ligjore dhe që të jenë të përgatitur teknikisht për sezonin dimëror, thotë Hashani.