Policia konfiskon 60 kilogram drogë

Policia e Kosovës ka konfiskuar 60 kilogram substanca të dyshuara narkotike, brenda 24 orëve, ndërkaq ka arrestuar dhjetë persona të dyshuar.

Kjo është komunikata e plotë e policisë, të cilën e përcjellë portali Mediafos.info.

“Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Drejtorisë Kundër Trafikimit me Narkotikë, me datën 29 shkurt 2020, në tri operacione policore kanë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar dhe kanë konfiskuar afro 60 kg substanca të dyshuara narkotike.

Operacioni kryesor policor është zvilluar mbrëmë rreth orës 21:00, në rr. Gjakovë-Klinë, ku pas një procesi hetimor dhe aplikimit të masave siç parashihen me ligjet në fuqi, janë ndaluar (2) automjete në të cilat dyshohej se po transportohej substancë e dyshuar narkotike. Hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës, në njërën nga automjetet e dyshuara kanë gjetë dhe konfiskuar disa qese të mbështjellura me substancë të dyshuar narkotike me peshë totale prej 57.5 kg.

Po ashtu, mbrëmë në dy raste të tjera në Gjakovë dhe në Fushë Kosovë janë arrestuar edhe (6) persona të tjerë: pesë (5) shqiptar dhe një (1) serb, nën dyshimin për ”blerje, posedim, shitje dhe shpërndarje të substancave psikotrope analoge” dhe “falsifikim të parasë” dhe poashtu janë konfiskuar sasi e substancave narkotike dhe dëshmi të tjera që mund të përdoren në procedurë penale.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në vend, në veçanti luftë e pakompromis do të zhvillohet ndaj të gjithë atyre që merren apo abuzojnë me substanca narkotike dhe në një mënyrë apo tjetër rrezikojnë sigurinë apo jetën e të rinjëve tanë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /MediaFokus/