Policia ndërpret dasmën, arreston të zotin e shtëpisë

Policia ka ndërprerë një ceremoni martesore në fshatin Vrapçisht, ndërsa ka arrestuar të zotin e shtëpisë.

Nëpunësit e policisë nga SPB Tetovë-DPB Gostivar e privuan nga liria A.Z. (56) nga Vrapçishti i Gostivarit, raporton tetovasot.com

“Para shtëpisë së tij ishte organizuar ceremoni martesore, në të cilën po merrshin pjesë tridhjetë njerëz të cilët u argëtuan nga një orkestër muzikore.

Kundër A.Z. do të shtrohet parashtresë sipas nenit 206 të Kodit Penal, për dyshimin e kryerjes së vepre penale – mosveprim në përputhje me rregulloret shëndetësore gjatë epidemisë.

Në thirrjen e fundit të SPB Tetovë për objektet hotelierike në rajonin e Pollogut, u porosit për respektim të vazhdueshëm të masave më të fundit të qeverisë dhe përmbajtja nga organizimi i dasmave dhe ceremonive të tjera ose festave.

Thirrja vjen në një kohë të vitit kur mërgimtarët vijnë në atdheun e tyre dhe tradicionalisht organizojnë ahengje, dasma dhe tubime të tjera familjare.

Javën e kaluar në Gostivar, tre persona u privuan nga liria, të cilët pritën mysafirë në lokalet e tyre pas orarit të punës dhe mbajtën ahengje për mysafirët.