Policia nis hetimet për identifikimin e personave që dogjën billbordin në Graçanicë

Policia e Kosovës ka dhënë më shumë informata rreth djegies së billbordit “Liria ka emër” në hyrje të komunës së Graçanicës, që ka ndodhur sot në mëngjes.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i ka thënë Gazetës Express se në bazë të informacioneve të para dyshohet që dëmtimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

Sipas tij, tashmë është iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast dhe për identifikimin e personave që mund të jenë përfshirë.

“Po, është pranuar informata lidhur me dëmtimin e pjesshëm të tabelës reklamuese (Billboard-it) që ka qenë e vendosur në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që dëmtimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Aktualisht është iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast ndërlidhur me këtë edhe për identifikimin e personave që mund të jenë përfshirë”, ka deklaruar Borovci.