Policia pengohet në ndalimin e një kamioni në veri
Mbrëmë në afërsi të liqenit të Ujmanit, në pjesën veriore të Mitrovicës, zyrtarët policorë të kufirit, gjatë tentimit për ta ndaluar një kamion, janë penguar nga dy automjete civile pa targa.
Dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, kanë penguar zyrtarët policorë duke iu pamundësuar ndaljen e kamionit i cili dyshohej për kontrabandë mallrash.
Lidhur me këtë rast janë alarmuar edhe njësitet tjera relevante policore, të cilët kanë asistuar zyrtarët kufitar, për hetim dhe kërkim të personave dhe automjeteve të dyshuara.
Policia e Kosovës vazhdon angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, në zbatim të ligjit dhe parandalimit të veprimtarive kriminale, thuhet në njoftimin e policisë.

