Policia sekuestron tekstil kontrabandë, po dërgohej në Gjilan
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Përmes një njoftimi për media, Policia bën të ditur se në një automjet me targa vendore janë gjetur dhe sekuestruar disa thasë me tekstil, vlera e të cilave kap shifrat rreth 7 mijë euro.
“Me datën 13.12.2023 njësitë Task Forcë – Lindje, së bashku me njësitë nga Dogana e Kosovës, kanë identifikuar një automjet të dyshuar me targa vendore, i cili dyshohet se përmes rrugëve malore nga RMV ishte duke sjellë mallra të kontrabanduara në drejtim të Gjilanit. Automjeti i dyshuar është përcjellë nga njësitë e lartcekura deri tek automjeti i dytë i përfshirë në rast, i cili po priste ta pranonte mallin e lartcekur.
Gjatë kontrollit të realizuar në automjet është gjetur tekstil në disa thasë, kryesisht veshmbathje të ndryshme, në sasi prej gjithësej 617 copë, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas tregut kap shifrat rreth 7000 euro (shtatë mijë euro)”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, malli isekuestruar bashkë me automjetin janë dërguar në terminalin doganor ‘Dheu i Bardhë’, ndërsa tre personat e dyshuar të përfshirë në rast janë liruar në procedurë të rregullt.

